Fatkeqsia e dikujt sot, mund të jetë dhimbja jote nesër! Stop abuzimit seksual të fëmijëve.

Jehona e lajmit për abuzimin seksual të së miturës 15-vjeçares në Tiranë, shkoi në cdo familje shqiptare. Po po , një minorene u shantazhua dhe më pas u përdhunua! Mos e mbaj frymen dhe mos mallko, është e vërtetë! Kush e bëri? E bëri personi  që paguhet për ruajtjen dhe sigurinë e saj! U trembe , u revoltove dhe mallkove me te drejtë, sepse edhe ti je prind, ke nënë dhe motër. Ajo vajzë, ende fëmijë, pa se si jeta akoma e pa jetuar dhunohet, përdhoset ,shkatërrohet para syve të saj pa të drejtë dhe pa moral.

Ëndrrat dhe fëmijëria për atë vajzë vdiqën, u vranë nga një monstër dhe dy apo tre pjellë të tjera po aq monstruoze, nëpërmjet shantazhit, kërcënimit, dhe dhunimit seksual. Tmerr, pa faj!  Fat i keq i fëmijës pa përkrahje, pa mbështetje, pa ndihmë, viktimë e jetës dhe krimit. Si të mos mjaftonte abuzimi seksual, u bë plaçkë që kalon dorë më dorë. Si të mos mjaftonte kjo, u bë me faj. Balta e fajit kaloi përtej viktimës, preku familjen , preku mësuesin, psikologun, shoqërinë. Por me shumë faj, kanë ata që bën sehir, që qeshën, përgojuan, tallën dhe u argëtuan. Ata që gëzohen nga fakti që “Gjylja nuk plasi në shtëpinë time!”.

Dhemb në shpirt cdo fjalë, pasi ajo vajzë, mund të ishte vajza e secilit prej nesh. Dua tju bëj një pyetje prindërve: Cfarë ndjetë? Cfarë menduat? A menduat për raportin me fëmijët tuaj? Apo mos ndoshta ndjetë keqardhje për raportet e cunguara të vajzës me familjarët e saj? Mes një milion pyetjeve , një gjë është e sigurt, përqafuat fort fëmijët tuaj dhe menduat : Cfarë mund të bëj unë?

Të dashur prindër! Një rrezik i tillë, për aq kohë sa pedofilët të marrin frymë lirisht, na kanoset të gjithëve. Mbani fëmijët tuaj afër. Mos i rrisni fëmijët nën tutelën e frikës dhe të turpit. Zbuteni komunikimin me fjalë të ëmbla dhe pranuese. Ushqeheni fëmijën me dashurinë pa kushte. Fëmijët nuk dinë se cfarë është turpi, deri në momentin që e prezantojmë me të. Turp është të bësh turp. Mos gjykoni fëmijën tuaj por këshilloni dhe korrigjoni një sjellje duke ia shpjeguar qartë pasojat e saj. Mesojini fëmijës që gjithmonë do të jeni aty për të, pavarësisht cdo gjëje. Bëhuni mbështetja e tyre, në mënyrë që ata të ndjehen të lirshëm për të folur me ju, e tmos vuajnë ndër vete apo të kërkojnë mbështetje në dyer të huaja.

Vitet ikin aq shpejtë ndaj mos lejoni veten tuaj të thotë ku gabova. Për ata që ende i kanë fëmijët të vegjël, mësojini si të njohin trupin e tyre, mësojini të kuptojnë fjalën INTIMITET. Mësojini fëmijët të duan , pranojnë, respektojnë veten dhe trupin e tyre. Mësojini të kuptojnë se cfarë do të thotë prekje intime dhe se askush nuk duhet dhe nuk ka te drejtë të prekë zonat e tij/saj intime.  Askush nuk ka të drejtë tju flasë me fjalë denigruese. Ushqeni fëmijët me kërkimin e ndihmës dhe reagimit për situata kompromentuese. Edukoni veten dhe fëmijët tuaj rreth seksualitetit, nuk ka TABU në informimin e zhvillimit seksual.

Nëse nuk dini apo nuk mundeni, kërkoni ndihmë. Asnjëherë mos e humbisni kontaktin me shkollën, mësuesit dhe psikologen. Reagoni pas cdo sinjali që ju jep fëmija sepse më vonë do të jetë thjeshtë shumë vonë. Edukoni fëmijët të mos kenë kontakte të afërta me persona të huaj apo më të rritur në moshë. E më kryesorja, shpjegoni rrezikun që i kanoset. Vetëm komunikimi dhe interesimi i vazhdueshem për fëmijët do tju sjellin më afër me ta.

Mos prisni që detyrën tuaj ta bëj mësuesi apo psikologu. Megjithatë, kjo nuk është e vetmja mënyrë për të mbrojtur fëmijën tuaj. Rreziku zvogëlohet kur ju denonconi cdo rast dyshimi apo konstatimi të personave të rrezikshëm të cilët kryejnë këto akte të turpshme dhe të dënueshme. Mjaft më me indiferentizëm. Të heshtësh dhe të mos denoncosh një krim të tillë sic është pedofilia , abuzimi seksual me një të mitur, të bën palë në krim, e në një farë mënyre përgjegjës për vuajtjen e një fëmije dhe një familjeje. Mos harroni , ajo që ndodhi dje mund tju ndodh juve nesër. Që fatkeqia e dikujt të mos bëhet dhimja jote nesër, eduko, komuniko, sqaro dhe vepro në kohë. Një dhimbje e tillë nuk mund të qetësohet me lutjen :” O ZOT mos na sprovo”.

1 comment

Comments are closed.