Dëshira për të mos bërë asgjë, mund të jetë një mundësi….

Shpesh herë gjendemi të dorëzuar për të mos bërë asgjë. Dëshira e madhe për tu mbyllur në shtëpi, për të fjetur , për tu shmangur nga takimet dhe aktivitetet është laikmotivi i ditëve tona. Janë ato ditë kur ndjehemi aq shumë të lodhur dhe pa motiv për të bërë diçka. Ndjejmë një plogështi shpirtërore ku duket sikur asgjë nuk ka rëndësi. Në një mënyrë apo një tjetër ne mbyllemi ne guaskën tonë duke hequr dorë nga cdo gjë. Kjo situatë interpretohet në formën e një dorëzimi përballë angazhimeve tona dhe quhet Apati.

Apatia në vetvete është një simptomë e cila favorizohet nga stresorë të jashtëm dhe të brendshëm. Angazhimet e shumta dhe mos realizimi i tyre; humbja e dikujt dhe  sëmundjet ;jetesa e vështirë etj, janë faktorë të cilët ndikojnë drejtpërdrejtë në humbjen e interesit dhe entuziazmit për të ndjekur rutinën tonë normalisht. Shpesh, ndoshta nga mungesa e informacionit shumë individë e ngatërrojnë apatinë me depresionin. Kujdes! Depresioni është një çrregullim psikologjik, ku njeriu ndjehet i pa shpresë, i pafuqishëm, pa interes për jetën, madje dëshiron ti japi fund jetës. Depresioni përfshin ndjenjat e fajit, të cilat një person apatik nuk i ka. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që apatia duhet neglizhuar sepse zgjatja e saj në kohë hap rrugën për tu prekur nga çrregullime psikologjike.

Në rastin më të mirë, apatia duhet parë si një mundësi. Nëse e ndjen veten se po shkon drejtë kësaj gjendje, atëherë mendo se cfarë nuk po shkon siç duhet. Mund të mbyllesh në shtëpi duke lenë mënjanë angazhimet e tua, duke e menduar si kohë pushimi dhe relaksimi. Në orët kur ndjehesh bosh emocionalisht, ndjehu i lirshëm të qash, pas lotëve sytë shohin më mirë. Nëse mendon se ke dështuar, fale veten dhe jepi asaj kurajo për durim, duke menduar se kjo është një gjëndje kalimtare. Të jeni të bindur, që të gjithë personat që keni lënë jashtë derës , kanë pasur të paktën një herë një ngecje të tillë në jetën e tyre.  Askush nuk është imun përballë lodhjes fizike dhe psikologjike. Të takohesh me apatinë, mund të jetë edhe një mënyrë për ta koncptuar si një kthesë në jetën tuaj për tu përmirësuar. Si  mund të ndodh kjo?

Reflektimi, rishqyrtimi, rikujtimi, analizimi dhe marrja e vendimeve të reja për ndryshime në jetën tonë, është njekohësisht motiv dhe zgjidhja për të dalë nga kjo gjendje. Një mënyrë tjetër e cila ndihmon për daljen nga kjo situatë, është gjetja dhe ushtrimi i pasioneve tuaja. Ju ndihmon të ripërtëriheni ndërkohë që respektoni dëshirën  tuaj për të qëndruar vetëm. Kjo do tju mdihmojë të jeni aktiv fizikisht dhe mendërisht.